Deputeti Ilir Deda, në pyetjen e tij drejtuar Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, ka thënë se nuk mjaftojnë vetëm gjetjet e Komisionit dhe në fund t’iu lihet deputetëve patatja e nxehtë në dorë, duke e votuar atë.
Ai ka thënë se në raportin e Komisionit të drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, duhet të reflektohet edhe situate aktuale ndërkombëtare, sa i përket shtetit tonë.
“Kjo situatë është kundër Kosovës sa i përket çështjes së demarkacionit. Ju sa më shpejt të dilni me raportin përfundimtar. Nuk mund ta presim janarin ose shkurtin e vitit të ardhshëm. Por, kjo nuk do të thotë të punohet shkel e shko. A do të mund që orientimisht ta na tregoni një periudhë kohore, kur ne do të mund ta merrnim raportin e juaj. Nëse zgjatet kjo periudhë, do të ishte mirë të shihemi edhe njëherë këtu në komision, dhe të raportoni për punën tuaj”, tha Deda. /Telegrafi/