Telegrafi

Deda për koalicionet e mundshme parazgjedhore: Të gjithë po e presin 3 gushtin e LDK-së

Deputeti i pavarur, Ilir Deda, në emisionin “Përballje ditore” në Telegrafi.com, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka folur për situatën e tanishme politike në vend.

Deda ka folur për zgjedhjet e parakohshme, për shpërbërjen e Kuvendit, për koalicionet e partive opozitare, për listën e temave me të cilat do të ballafaqohet Qeveria e ardhshme në 100 ditëshin e parë, si dhe për të ardhmen e tij politike.

Deputeti i pavarur, Ilir Deda, në një intervistë në “Përballje ditore”, për Telegrafi.com / Foto: Ridvan Slivova

Deda në këtë intervistë ka thënë se është e rëndësishme që partitë opozitare të bëhen bashkë dhe ta bëjnë kthesën politike e cila sipas tij nuk u bë në vitin 2017.

“Partitë opozitare thonë se duan të dalin vetë në zgjedhje, por është momenti i fundit të realizohet ajo që nuk u bë me LAA. E gjithë opozita duhet të bëhet bashkë, edhe ata që nuk janë pjesë e partive e që kanë vullnet. Me një listë të përbashkët me 100 kandidatë, apo me një kohezion programor, sepse ka dallime të mëdha mes partive. Duhet të dihet se cilat janë vendimet që do të merren, kush janë njerëzit që do të udhëheqin, sa njerëz do t’i kenë. Cila është lista e detyrave”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimtare për bashkimin e opozitës është data 3 gusht, saktësisht zgjedhjet për të parin e LDK-së.

“Jemi duke e pritur vetëm 3 gushtin e LDK-së, kush po fiton, dhe a do ta marrë përgjegjësinë e vetë LDK-ja që t’i bashkojë partitë politike në një listë, apo atë që po e dëgjojmë se do të shkojnë vetë. Pra e gjithë përgjegjësia kryesore është tek LDK pas 3 gushtit. Testi për partitë politike që duan ndryshime do të jetë pas 3 gushtit. Nëse nuk tregohet vullneti për të marrë përgjegjësi, atëherë zgjedhjet e shtatorit nuk do të jenë shumë zgjedhje”, është shprehur ai.

Ndër të tjera, Deda ka thënë se zgjedhjet pritet të mbahen në shtator.

“Zgjedhjet dikund në shtator. Po them në shtator sepse është një kalendar ndërkombëtar jashtë Kosovës, është kalendar euro-amerikan që ka të bëjë me dialogun. Kemi humbur shumë për shkak të kalendarit të dialogut, dhe janë sakrifikuar shumë procese për këtë. Nëse bëhet opozita e bashkuar, nuk ka nevojë me u kry zgjedhjet për me i tregu partnerëve ndërkombëtar si e shohim ne dialogun. Prapambeturi politike duhet të përfundojë dhe jo të vazhdojë kështu”, ka theksuar ai./Telegrafi/