Debati në Kuvend për rebalancin e buxhetit për vitin 2017 do të vazhdojë nesër në orën 11. Shumica parlamentare dhe opozita edhe në vazhdimin e pasdites së seancës kishin qëndrime të ndryshme për shkurtimin e buxhetit.
Deputetët e OBRM-PDUKM-së thonë se me rebalancin e buxhetit shkurtohen investimet kapitale, zvogëlohen paratë për arsim, shëndetësi, policinë dhe ushtrinë. Me këtë nuk pajtohen deputetët e LSDM-së, për të cilët me rebalancin e buxhetit do të shkurtohen vetëm shpenzimet e kota, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Rebalanci bazohet në projeksionin e rritjes së BPV-së prej 2.2 për qind, deficiti buxhetor është projektuar në 18.57 miliardë denarë, të ardhurat e përgjithshme janë reviduar për 1.5 për qind, gjegjësisht për 2.87 miliardë denarë, ndërsa kontributet sociale në pajtim me realizimin priten që deri në fund të vitit të ketë rritje të lehtë në lidhje me të buxhetuarit në mënyrë iniciale.
Shpenzimet kapitale janë reviduar në 23.4 miliardë denarë për shkak të nivelit të ulët të realizimit në gjashtë muajt e parë të vitit (8.7 miliardë denarë). Është kryer zvogëlim i mjeteve tek projektet kapitale të cilët kanë dinamikë të ngadalësuar të realizimit të aktiviteteve në gjymën e parë të vitit.
Me rebalancin shpenzimet rrugore të qeverisë dhe institucioneve shkurtohen për 122 milionë denarë, ndërsa shpenzimet tjera rrjedhëse (përfaqësitë, promocionet ekonomike, reklamimet) për 257 milionë denarë.
Ndryshe, debati për rebalancin e buxhetit filloi më 1 gusht dhe është paraparë të përfundojë të dielën, kur edhe pritet që të votohet nga deputetët e shumicës parlamentare./Telegrafi/