Debat Plus në RTV Dukagjini është ndër emisionet më të shikuara shqiptare dhe mban rekordin për më së shumti shikues në kohë reale.
Mirëpo, shifrat shihen me skepticizëm nga përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët pretendojnë se ato sigurohen përmes klikimeve nga shikues joshqiptare, sidomos nga vendet aziatike apo kontinentet tjera.
Dhe për ta plotësuar këtë në formë shakaje, është bërë një përmbledhje me personazhe nga Kina, India dhe Xhamajka, të cilët i përshëndesin drejtuesin e emisionit Ermal Panduri dhe panelistin Fidan Rama, ndërkohë që pohojnë se e shikojnë emisionin me familje.
Shikuesi kinez e ka veçuar pikërisht emisionin që theu rekordin me të ftuar Albin Kurtin, ndërkohë që shikuesi nga India ka thënë se mezi pret t’i shohë përballë Kurtin dhe Hashim Thaçin.
“Debat Plus ka fituar shtrirje në gjithë botën. Në këtë video na përshëndesin shikues nga Kina, India e Xhamajka. Kërkesa e tyre është ballafaqimi Thaçi-Kurti. Binduni që kemi shikues edhe prej këtyre vendeve”, ka shkruar Fidan Rama.
Ndërsa nikoqiri i Debat Plus, Ermal Panduri, në postim e tij ka shkruar: “Ju përnjëmend mendonit që po bëj hajgare për kinezët dhe jo vetëm…”. /Telegrafi/