Site icon Telegrafi

Debat e mospajtime në Kuvend mes LDK-së e PSD-së për rrëzimin e Qeverisë

Dardan Sejdiu nga PSD dhe Lumir Abixhiku nga LDK, kanë zhvilluar një debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës, për rrëzimin e Qeverisë.

Ka qenë Sejdiu ai i cili u ka kërkuar kolegëve të tij nga LDK-ja dhe VV-ja që t’i bëjnë nënshkrimet për të rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Deri te kjo deklaratë e Sejdiut erdhi pasi Lumir Abdixhiku iu bëri ftesë deputetëve të PSD-së të mos votojnë ligje por ti vazhdohen bojkotit të LDK-së dhe VV-së.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit Lumir Abdixhiku, i cili ju drejtua Sejdiut se “do të isha ndier i brengosur nëse do më kishte duartrokitur PDK-ja”.

Abdixhiku më tej i tha Sejdiut se si PSD asnjëherë nuk kanë folur për këtë Qeveri dhe qeverisjen e saj, shkruan Telegrafi.

“Vazhdimisht keni folur për LDK-në dhe VV-në e asnjëherë nuk keni folur për këtë qeveri dhe qeverisjen e saj. Na duhen edhe 4 nënshkrime për të nisur mocionin për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai më pas u ka bërë thirrje opozitës që të vazhdojnë të bojkotojnë votimin e secilit ligj që vie në Kuvend.

Pas kësaj ka reaguar sërish Dardan Sejdiu, duke iu drejtuar Abdixhikut se “ju po ja zgjasni jetën kësaj qeverie duke mos e nisur mocionin”.

Sejdiu ka shtuar se nëse bëhen bashkë si opozitë dhe punojnë mirë e mbarë, atëherë do t’i sigurojnë edhe katër votat që mungojnë për të nisur mocionin për rrëzimin e Qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version