Roma dhe Juventus kanë luajtur baras 1-1 në derbin e xhiros së 35-të në elitën e futbollit italian Serie A.
Trajneri i Romës, Daniele De Rossi pas ndeshjes tha se është i lumtur dhe krenar me paraqitjen e futbollistëve të tij ndaj Juvetusit.
De Rossi, theksoi se nëse ka një aspekt që skuadra e tij duhet të përmirësojë, është i të mos u ndrojturit pas një rasti apo goli të kundërshtarit.
“Unë ndjehem shumë i lumtur dhe krenar për skuadrën, sigurisht barazimet nuk na kënaqin gjithmonë. Por, sjellja e djemve në fushë është për t’u vlerësuar, duket që kanë dëshirën për të arritur gjëra të mëdha. Nuk tërhiqen kurrë pas. Janë katër apo pesë lojtarë që prej momentit që kam ardhur unë që mund të kenë luajtur 10.000 minuta. Zhvilluam një ndeshje të bukur, por mos harroni se edhe Juventusi është i fortë”, tha De Rossi.
“Kemi një difekt të vogël mbi të cilin duhet të punojmë, skuadra është pak e ndrojtur në momentin që pëson një gol apo kur kundërshtari krijon ndonjë mundësi shënimi. Na ndodhi në Napoli dhe u përsërit me Bayer Leverkusen. Duhet të kuptojmë që edhe pas një goli të pësuar, fusha është po e njëjta dhe kundërshtarët janë ata që ishin edhe para golit”, tha De Rossi.
Ai tregoi edhe bisedën që kishte me Massimiliano Allegrin, një trajner i madh që ka shkruar historinë në futbollin italian me trofetë e fituar.
De Rossi tregoi edhe këshillat që i dha Allegri për ndeshjen e kthimit ndaj Bayer Leverkusenit.
“Allegri më tha se duhet të besojmë, të mendojmë sikur është diçka e lehtë. Ne kishim raste me Leverkusen, zotëruam topin në masën 60 për qind, nuk ka nevojë të nxitohemi pasi janë dy gola për t’u përmbysur dhe jo pesë”.
“I kërkova një këshillë edhe Allegrit dhe më tha se goli mund të shënohet edhe në minutën e 60. Në atë ndeshje duhet të jemi shumë energjikë, por edhe inteligjent duke ditur se ndeshja zgjat për shumë minuta”, deklaroi De Rossi. /Telegrafi/