Matthijs de Ligt ka thënë se stili i lojës së Andrea Pirlo është ‘më modern’ se ai i Maurizio Sarrit dhe zbulon se çfarë ka ndryshuar Juventus këtë sezon.
De Ligt bëri debutimin e tij sezonal në fitoren e Zonjës së Vjetër 2-0 kundër Cagliarit të shtunën mbrëma pas një operacioni në shpatull që ai pësoi në gusht.
“Ishin muaj të vështirë, unë punova aq shumë që të kthehesha dhe të luaja. Jam shumë i lumtur, për të gjithë ekipin”, ka thënë fillimisht De Ligt për Sky Sport.
“Ishte një periudhë e vështirë, por vuajtjet ndonjëherë mund të jenë pozitive. Kam luajtur disa ndeshje me shpatull të lënduar, por jam i lumtur që fituam kampionatin sezonin e kaluar”.
Great to see you back tonight, @mdeligt_04! ❤️👍#JuveCagliari #FinoAllaFine #ForzaJuve pic.twitter.com/b1BkuIeH3r
— JuventusFC 🇬🇧🇺🇸 (@juventusfcen) November 21, 2020
“Ne kemi një mentalitet tjetër. Vitin e kaluar ne donim të bënim presion lartë, por me Pirlon ne luajmë një futboll më modern. Ne mbrojmë një kundër një duke lënë shumë hapësirë pas nesh. Më pëlqen, e bëja të njëjtën gjë në Ajax”.
“Ne kemi vend për përmirësim”, shtoi mbrojtësi holandez.
“Së shpejti do të arrijmë 100 për qind, pasi tani jemi në 70 për qind të potencialit tonë. Ka shumë ekipe të forta këtë sezon, kampionati është më i vështirë dhe më stimulues”.
“Ne kemi shumë kundërshtarë: Milan, Inter, Lazio, Atalanta dhe Napoli. Është një kampionat i vështirë, por ne jemi përqendruar vetëm te vetja jonë, pasi kemi një ekip shumë konkurrues për të fituar titullin”, përfundoi De Ligt. /Telegrafi/