Mbrojtësi i Juventusit, Matthijs de Ligt, ka thënë se nuk do të vaksinohet kundër COVID-19, ndërsa ka mohuar një kalim te Barcelona.
De Ligt, i cili ishte infektuar me virusin COVID-19 në janar, ka thënë se njerëzit duhet të jenë vetë përgjegjës për trupin e tyre sa i përket vaksinimit.
“Ishte një sezon i vështirë fizikisht dhe mendërisht. Një sezon me ulje dhe ngritje. Isha jashtë për tre muaj dhe pastaj u riktheva, por dola pozitiv me COVID”.
“Nëse do të kishit thënë tre javë më parë se: ‘ne do të fitojmë Kupën e Italisë dhe do arrijmë në Ligën e Kampionëve’, kjo do të kishte qenë mirë”.
Sa i përket vaksinimin mbrojtësi holandez tha: “Unë nuk jam vaksinuar, nuk është e detyrueshme”.
“Unë mendoj se secili njeri duhet të jetë përgjegjës për trupin e tij. Rreziku i infektimit është gjithmonë. Unë përpiqem të kem sa më pak kontakt me njerëz sa të jetë e mundur”.
Holandezi zhvilloi 36 ndeshje në të gjitha garat këtë edicion me Juventusin, ndërsa ende flitet se mund të kalojë te Barcelona.
Por ai ka hedhur poshtë këto thashethemet. “Unë jam shumë i lumtur te Juve. Ndihem si peshku në ujë”.
“Ndihem mirë në fushë dhe jam i vlerësuar. A do të më linin të largohesha? Ka shumë klube që kanë probleme me parat, por duhet ta pyesni klubin për këtë gjë”.
“Nuk e di. Këto [thashethemet e Barcelonës] nuk kanë kuptim. Unë nuk kam asnjë informacion për këtë gjë”, ka thënë De Ligt. /Telegrafi/