Site icon Telegrafi

De Laurentiis: Interi dëshiron lojtarët më të mirë të Napolit, por nuk ia shesim

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis ka thënë se Interi dëshiron të shpërbëjë ekipin e tij pasi po i kërkon lojtarët më të fortë të skuadrës së tij.

Interi ka zyrtarizuar para disa ditësh trajnerin e ri Antonio Conte, i cili erdhi si zëvendësues i të shkarkuarit Luciano Spalletti.

Tani drejtuesit e klubit janë të interesuar t’ia plotësojnë dëshirat Contes duke ia transferuar disa nga lojtarët e tij të preferuar.

Lexo po ashtu De Laurentiis: Refuzova ofertat e Interit, Milanit dhe Juventusit për Hamsikun

Sipas presidentit të Napolit, De Laurenttis, Interi synon ta shkatërrojë ekipin e tij pasi po ia kërkon lojtarët më të mirë, por shton se ai nuk do t’ia shesë ata.

Aurelio De Laurentiis (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

“Stafi im më thotë se Interi dëshiron ta shpërbëjë ekipin tim pasi ka kërkuar lojtarët tanë më të fortë”, ka thënë fillimisht De Laurentiis për Corriere dello Sport.

“Por, nuk kam e ndërmend t’i shes më të mirët e mijë. As Piotr Zielinskin dhe as Lorenzo Insignen”.

Zielinski dhe Insigne duke festuar një gol (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

“Insigne mund të luajë në ndonjë nga skuadrat e mëdha evropiane, por tani ai është me Napolin dhe është i lumtur. Nuk jemi supermarket; lojtarët tanë nuk janë në shitje, nëse nuk blemë dikë që mendojmë se do ta bëjë ekipin më të fortë”.

“Shumë ekipe kërkojnë lojtarët tanë, por ata nuk janë në shitje”, përfundoi presidenti i Napolit. /Telegrafi/

Exit mobile version