Frenkie de Jong ka qenë njëri nga lojtarët më të mirë të Barcelonës këtë edicion, por që në takim ndaj Bayernit as ai nuk shfaqi atë që pritej.
Mesfushori holandez ka mbetur i zhgënjyer nga kjo disfatë 8-2, teksa ka thënë se fillimisht menduan se mund ta mposhtin Bayernin.
“Ne besuam se mund ta mposhtim Bayernin, e kishim këtë bindje në 15-20 minutat e para edhe pse pësuam të parët, por barazuam dhe krijuam dy raste të mira”.
“Mendoj se sonte treguam një lojë të shëmtuar dhe kjo tregoi se kemi probleme të mëdha në skuadër, kjo humbje tregoi gjithçka”, tha holandezi.
23-vjeçari është i vetëdijshëm se në skuadër duhet të ndryshohen shumë gjëra, teksa u ka kërkuar falje tifozëve.
“Ne jemi të vetëdijshëm se kemi shumë probleme në skuadër dhe duhet ndryshuar shumë gjëra. Më vije keq për tifozët dhe dua t’iu kërkoj falje atyre”, tha holandezi i mërzitur.
Krejt në fund ai përgëzoi kundërshtarët për fitoren e thellë 8-2, duke thënë se ata e merituan plotësisht.
“Bayerni ishte shumë më i mirë se ne, ata me lojën që shfaqën e merituan plotësisht fitoren. Ne duhet të ndryshojmë, pasi jemi klubi më i madh në botë dhe tifozët tanë janë mësuar me trofe. Duhet të luajmë ndeshje shumë më të mira se sa sonte në të ardhmen”, tha De Jong.
Reprezentuesi holandez u pyet edhe për duelin e sotëm mes Manchester Cityt dhe Lyon, por ai tha se më nuk i intereson se kush do ta fitojë atë. /Telegrafi/