Kombëtarja e Italisë e ka mposhtur atë të Belgjikës në çerekfinale të Kampionatit Evropian, Euro 2020.
Azzurët kanë triumfuar me rezultat 2-1, duke siguruar plasmanin në gjysmëfinale të evropianit.
Kevin de Bruyne ka qenë në dyshim për këtë sfidë, por ai në fund ka zbritur në fushë edhe pse ishte i lënduar.
Vet mesfushori belg e ka pranuar se ka luajtur me ligament të lënduar ndaj Italisë.
“Falënderoj stafin mjekësor për punën gjatë katër ditëve të fundit. Kam luajtur me ligament të dëmtuar, nuk ishte e lehtë”, tha De Bruyne.
Tutje belgu ka thënë se ka qenë një kampionat i vështirë për ta shkaku i lëndimeve, derisa në fund ka folur fjalë të mëdha edhe për Azzurët.
“Ishte një evropian i vështirë për ne, patëm kaq shumë lëndime. Luftuam deri në fund, por me këto dëmtime nuk ishte e lehtë”.
“Italia ishte më e mirë se ne në pjesën e parë, por në pjesën e dytë krijuam më shumë raste. Mund të kishim shënuar golin e dytë, por nuk ia dolëm. Sot kemi humbur kundër një ekipi të klasit të lartë”, deklaroi De Bruyne. /Telegrafi/