Trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, ka deklaruar gjatë emisionit “Opinion” se Taulant Xhaka ka ardhur te Shqipëria se nuk e ka zgjedhur Zvicra. Ai insistoi që mesfushori kishte lënë në balte shokët e skuadrës duke braktisur ekipin par ndeshjes me Bosnjën.
“Nuk është se nuk zgjodhi Zvicrën, ishte Zvicra që nuk e deshi dhe pastaj erdhi te Shqipëria. Më bëhet qejfi që është i lidhur më bluzën, e tregoi edhe rastin e fundit, duke lënë shokët vetëm. Shkoi te klubi. Pse? Se nuk luajti kundër Italisë dhe se mendonte se kishte padrejtësi kundër tij dhe se më e mira ishte të luante me skuadrën e tij”, ka thënë trajneri.
“E vetmja herë që nuk luajti më parë ishte ndaj Lihtenshtejnit që të çlodhej për Spanjën dhe ishte strategjike. Me Italinë kisha nevojë për dy lojtarë me karakteristika të ndryshme dhe janë bërë vlerësime nga stërvitjet gjatë javës”.
“Kemi bërë gjashtë seanca stërvitore dhe të gjitha monitorohen, aty tregohet kush vrapon në një mënyrë apo tjetër, të dhënat e tij ishin negative. Ai po luan te Bazeli dhe është i lumtur atje, dhe klubi i lumtur me të. Por, sa më përket mua është një lojtar si gjithë të tjerët”, ka thënë De Biasi.