Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, është prezent në takimin e përvitshëm të Shoqatës Evropiane të Trajnerëve i cili po mbahet në Como të Italisë, ku janë të pranishëm 200 teknikë nga i gjithë kontinenti.
Në një prononcim për mediat italiane gjatë këtij aktiviteti, De Biazi kërkoi të largonte vëmendjen nga ndeshja e marsit kundër Italisë dhe të mbante përqendrimin vetën te kundërshtari i radhës, Izraeli.
Për përqendrimin te ndeshja e radhës
“Jemi mësuar të përqendrohemi te objektivi i radhës, edhe pse na ndajnë afro pesë muaj nga sfida me Italinë. E them këtë pasi Izraeli është ndeshja më e rëndësishme për Shqipërinë dhe aty duhet të jemi të përqendruar. Është rivali ynë direkt për vendin e tretë në grup. Ky është një objektiv mjaft i rëndësishëm, pa anashkaluar që më pas të realizojmë edhe diçka më tepër.”
Për renditjen në grup
“Është e vështirë të renditemi në vendin e dytë, sepse Spanja dhe Italia kanë më tepër cilësi. Spanja është më superiore se të gjitha ekipet e grupit, ka eksperiencë të madhe ndërkombëtare dhe kualitet. Italia ka lojtarë të fort në mbrojtje, me Buffon, Chiellinin, Bonuccin e Barzaglin. Gjithashtu nëse rikuperohet maksimalisht edhe Claudio Marchisio që ka nisur të luajë, do të jetë një bllok solid i Juventusit që do ti japë më tepër cilësi ekipit.
Përsa i takon Shqipërisë, ne nuk duhet të harrojmë atë që na ndihmoi të kualifikoheshim në Kampionatin Europian, pra të jemi të vetëdijshëm te kualiteti ynë, të luajmë në mënyrë jo egoiste dhe të jemi gjithmonë aty për të ndihmuar njëri-tjetrin.”
Për lojtarët shqiptarë në Itali
“Jam mjaft i kënaqur me paraqitjet e lojtarëve. Është një periudhë e mirë dhe më bëhet qejfi që djemtë luajnë dhe marrin eksperiencë, ndërsa po fitojnë edhe formë fizike. Tashmë pres që edhe Manaj të aktivizohet më shpesh. Sapo është kthyer nga dëmtimi dhe është një lojtar i së ardhmes, tek i cili kemi shumë besim.”