Telegrafi

De Biasi uron që të jetë në listë për trajnerin e Anglisë

Largimi i Roy Hodgson nga drejtimi i përfaqësueses angleze, i ka hapur rrugën shumë trajnerëve të synojnë postin në bankën e Tre Luanëve”. Mes kandidatëve dëshiron të vendosë emrin e tij edhe Gianni de Biasi, i cili në një interviste të dhënë për Radio 1 Rai, ka uruar që një hipotezë e tillë të bëhet realitet.

I pyetur nëse ekzistonte mundësia që të largohej nga Shqipëria për të marrë drejtimin e Anglisë, kjo ishte përgjigja që dha tekniku i kuqezinjve: “Ekziston si mundësi, nuk e di se sa e realizueshme është, por ekziston. Unë uroj që të ndodhë”.

Ai ka shpjeguar se klauzola e vendosur në kontratë me FSHF-në, ia bënte gjërat më të thjeshta, ndonëse ndarja nga Shqipëria do të ishte gjithmonë shumë e vështirë, transmeton Panorama.

“Kam një klauzolë për të prishur kontratën me Shqipërinë, është një nga pikat kryesore që kam vënë kur kemi bërë rinovimin. Mund të largohem në çdo moment pa probleme. Në fakt probleme do të kisha, pasi krijohen disa lidhje që të detyrojnë të bësh zgjedhje me shumë vështirësi”, ka thënë ai.

Trajneri është i bindur se me eksperiencën e krijuar te Shqipëria, mund të drejtojë çdo kombëtare, mes të cilave edhe atë italiane.