Site icon Telegrafi

De Biasi: Do të jetë e vështirë ndaj Italisë

Ndeshja kundër Italisë e sheh De Biasin të përballet më një sërë problemesh.

Tekniku nuk e fsheh se pavarësisht entuziazmit për një duel të tillë, duhet të rregullojë e improvizojë formacionin e Kombëtares ku do të ketë mungesa të rëndësishme.

“Po i afrohem kësaj ndeshjeje me shumë emocione. Fatkeqësisht, ndërsa shoh që Ventura ka një kampionat i cili po i dhuron shumë lojtarë të niveleve më të larta – si Belotti, Immobile e Candreva, sa për të cituar disa në repartin ofensivë – unë duhet të bëj llogaritë me shumë mungesa”

“Kam probleme me portierin dhe me dy qendrat e mbrojtjes që kanë luajtur titullarë në periudhat e fundit. Vështirësitë nuk mungojnë, por jam i sigurt se do të luajmë shanset tona”, tha ai në një intervistë të dhënë për “Torino Sportiva”.

Sigurisht, bëhet fjalë për mungesat e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshtiti, si dhe për dëmtimin e Mërgim Mavrajt që do e detyrojnë teknikun e përfaqësueses të ndryshojë rreshtimin.

Një nga emrat e rinj, i cili në fakt kthehet në skuadër, është ai i Arlind Ajetit, i cili pritet të zërë vendin në qendër të prapavijës.

I pyetur se pse mbrojtësi shqiptar nuk arriti të shprehet në nivelet më të larta në Serinë A me Torinon, De Biazi nuk ka preferuar të dalë mbi mendimin e Sinisha Mihajloviç, i cili pas gafave të futbollistit, e ka kaluar në plan të dytë dhe vështirë se do ta aktivizojë më.

“Nuk di çfarë të them. Nuk mund ta di se çfarë nuk funksionoi në Torino, në fillim kishte një dëmtim të gjatë. Pastaj, nëse kush e sheh dhe e vlerëson çdo ditë ka bërë disa zgjedhje të caktuara, mua nuk më përket të bëj komente mbi to”, tha De Biasi.

Exit mobile version