Site icon Telegrafi

De Biasi paralajmëron Xhakën: Nëse do të jetë pjesë e këtij grupi duhet ta tregojë me fakte, nëse jo ia bëjmë edhe pa të

Trajneri Gianni De Biasi nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares shqiptare. Tekniku 60-vjeçar iu përgjigj interesit të medias në lidhje me këtë çështje, duke theksuar se gjithçka ishte një keqkuptim.

“Ne po flisnim për incidentet dhe flakadanët dhe nuk po e kuptonim se përse po ndodhte e gjithë kjo. Në atë moment gazetari më pyeti nëse isha gati të jepja dorëheqjen dhe përgjigjja ime ishte se nuk marr vendime të improvizuara, por mendohem mirë për to. Tani që e kam menduar mirë situatën mund të them se nuk ka problem që nuk zgjidhet. Mbetet vetëm të kuptohet ajo që kemi arritur të gjithë si grup, së bashku me tifozët”, deklaroi De Biasi në konferencën për shtyp në Tiranë, transmeton TCH.

Lexo po ashtu Ekskluzive/ Lojtarët kryesorë largohen nga Kombëtarja shqiptare, përplasje me De Biasin

Siç njoftoi Telegrafi, Kombëtarja u kthye në Tiranë pa Taulant Xhakën dhe Amir Abrashin, ndërsa De Biasi i ka bërë një paralajmërim mesfushorit të Bazelit.

“E kam thënë edhe në konferencën time të parë për shtyp. Dyert e kombëtares janë të hapura për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e saj”.

“Xhaka është si gjithë të tjerët, nuk ka ndonjë aureolë shenjtori. Nëse do të jetë pjesë e këtij grupi duhet ta tregojë me fakte, në rast të kundërt mund të bëjmë edhe pa të”.

“Ndërsa Abrashi, ai erdhi në grumbullim i dëmtuar. U përpoqëm së bashku me stafin mjekësor që ta kurojmë, por pas seancës së fundit stërvitore në Palermo ai tha se nuk ia dilte dot”, ka thënë De Biasi.

Trajneri italian ka folur edhe për ndeshjen miqësore ndaj Bosnje e Hercegovinës, duke theksuar se do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, ndërkohë që konfirmoi edhe grumbullimin në skuadër të Takut dhe Kejdi Bares.

Exit mobile version