Gianni De Biasi pritet t’i bëjë disa ndryshime për ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës më 3 qershor.
Në sfidën e 3 Qershorit në Bergamo, Shqipëria pritet të zbresë në fushë e rreshtuar me skemën 4-5-1. Duke qenë se ndeshja e së premtes është edhe testi i fundit i kuqezinjve, përpara startit të Euro 2016, De Biasi ka vendosur të hedhë në fushë atë që mendon se është formacioni më i mirë i momentit, transmeton Supersport.al.
Kjo bën që të ketë mjaft ndryshme nga titullarët që luajtën me Katarin. I sigurt në portë është Etrit Berisha, ndërsa përpara tij në repartin difensiv do të rreshtohen Elseid Hysaj, në qendër përkrah Mërgim Mavrajt kthehet Lorik Cana, që rimerr vendin ku u aktivizua Ajeti.
Edhe Ansi Agolli rikthehet në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku më 29 Maj u aktivizua Naser Aliji.
Në mesfushë, nga krahët Odise Roshi konfirmohet në të djathtë dhe Lenjani majtas. Ndërkohë që rikthehet treshja titullare në qendër, me Ergys Kaçen në rolin e organizatorit, Abrashi qendër e djathtë dhe Taulant Xhaka qendër e majtë.
Rrotacion në repartin ofensiv, aty ku Armando Sadiku pritet të luajë titullar ndaj Ukrainës. Me paraqitjen dhe golin e shënuar kundër Katarit, sulmuesi elbasanas ka fituar balotazhin me Sokol Cikalleshin dhe Bekim Balaj-n.