Site icon Telegrafi

De Biasi me shaka: Më mirë që nuk luan Berisha, pasi do ta masakronte Zahavin

Dënimi i dhënë dje nga FIFA do të detyrojë Etrit Berishën të mungojë jo vetëm në ndeshjen e radhës të Kombëtares ndaj Italisë në mars, por edhe në atë kundër Izraelit që luhet në muajin qershor.

Trajneri Gianni de Biasi, ndonëse pranon se kjo është një mungesë e rëndësishme, e përjeton me humor situatën.

“Është një mungesë e madhe, po më mirë që nuk vjen në Izrael, pasi do të masakronte Zahavin”, ishte shakaja e tij në një intervistë për “TV Klan”.

“Berisha nuk duhet të binte në provokimin e tij, por mund të them që edhe Zahavi duhet të dënohej me 2 ndeshje për atë simulim”, theksoi trajneri i kombëtares.

Ai vazhdon të ketë shpresa për arritjen e një objektivi të rëndësishëm në kualifikueset e Botërorit ku si rival të radhës ka Italinë e tij.

“Ishte një vit për t’u kujtuar për futbollin shqiptar, pasi arritëm diçka të pabesueshme. Tani po përpiqemi që të qëndrojmë në garë për kualifikueset e Botërorit. Italia? Është e imja kur nuk jam në Shqipëri, por deri sa të jem këtu, do të jem 100% shqiptar. Për ndeshjen duhen edhe 3 muaj kështu që do të flasim më vonë”, deklaroi De Biasi.

“Unë shikoj që shkruhen të pavërteta edhe kur nuk dinë asgjë, por le të flasin. Unë prej 4 vitesh thonë që do të largohem, por ja ku jam për zgjedhje që e kam bërë vetë”, tha ai.

Exit mobile version