Site icon Telegrafi

De Biasi kërkon ndihmë nga Conte

Trajneri i kombëtares shqiptare gjatë një intervistë për mediumet italiane ka treguar së nuk ngurron të kërkoj ndihmë nga Antonio Conte, por ka theksuar gjithashtu se kombëtarja shqiptare tani është në nivel me kombëtaret e mëdha.

Mediet italiane i kanë kushtuar vëmendje të madhe kombëtares shqiptare, pas fitores së madhe ndaj Rumanisë. Është Radio 24 që ka lidhur drejtpërdrejt trajnerin Giani De Biasi, duke i kërkuar mendim për sfidën e Italisë ndaj Irlandës. Trajneri i kombëtares gjithashtu ka pranuar se ndihma e Italisë do të jetë shumë e rëndësishme në fatin e këtij evropiani për Shqipërinë.

“A do të telefonoj Conten për t’i kërkuar ndihmë? Me jepni numrin dhe do ta telefonoj menjëherë”, u përgjigj De Biasi, duke treguar se kanë marrëdhëniet shumë të mira me homologun e tij në stolin e Italisë.

“Tre pikët e fituara mund të na mjaftojnë për të kaluar në fazën tjetër, por sido që të shkojë zhvilluam një evropian pozitiv me tre ndeshje shumë të mira. Ironia e fatit është që ndaj Rumanisë patëm më pak raste se dy takimet e para ku paguam pak edhe presionin. I dimë limitet tona dhe kjo është forca jonë e madhe në këtë kompeticion”, ka shtuar 60-vjeçari i stolit shqiptar.

Në fund të intervistës, De Biasi gjithashtu ka theksuar se diferencat mes skuadrave janë ngushtuar dhe një ndeshje mund të vendoset nga lojtarët e mëdhenj, duke i japë mundësi edhe kombëtares shqiptare. /Telegrafi/

Exit mobile version