Trajneri i kombëtares shqiptare, Giani De Biasi, ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “La Stampa” duke komentuar faktin që Shqipëria udhëheq aktualisht grupin ku bëjnë pjesë Spanja dhe Italia.
Sipas numrit një të Shqipërisë, Kombëtarja është duke e vazhduar ëndrrën e saj pas kualifikimit në Evropian.
“Ëndrrat ndihmojnë për të jetuar më mirë, por kur kam parë klasifikimin kam buzëqeshur. Pas dy ndeshjesh nuk dua të them asgjë sepse jemi të parët falë një kalendari favorizues”, ka thënë tekniku i kuqezinjve.
Më tej ai ka folur për shanset e Shqipërisë për të shkuar në Kupën e Botës duke marrë pjesë në një grup tejet të vështirë.
“Vlera e këtyre fitoreve nuk është e njëjtë, por ne jemi të kënaqur. Kishim shumë për të humbur pas Kampionatit Evropian, por kemi ende të njëjtën dëshirë, përqendrim dhe përkushtim”.
“Nuk na kërkohet të shkojmë me patjetër në Kupën e Botës, por ne do të tentojmë njësoj si në kualifikueset e Francës. Në jetë kurrë mos thuaj kurrë, do të bëjmë gjithçka për t’ia vështirësuar jetën Spanjës dhe Italisë”, përfundoi De Biasi.