Telegrafi

De Biasi: Besarti nuk erdhi te Shqipëria, por për Kosovën e bëri sakrificën

Trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi, ka qenë mysafir i Blendi Fevziut në emisionin Opinion, ku ka folur edhe për përfaqësuesen e Kosovës.

“Është skuadër e mirë, natyrisht është e re. Kanë marrë dy lojtarë të rinj, njëri është Nuhiu që ende nuk ka luajtur. E kam ftuar në vitet e para kur erdha në Shqipëri, por nuk donte të luante për ne. E kishte kontaktuar edhe Berisha, por ai nuk pranoi”.

“Besart Berisha nuk erdhi te Shqipëria, meqë ai jetonte në Australi dhe për të ardhur i duheshin dy ditë udhëtim. Sa ta merrte veten për lojë, i duhej të kthehej mbrapsht”.

Lexo po ashtu Besart Berisha: I gëzuar që luajta për Kosovën

“Tani do të luajë me Kosovën, me sa duket për Kosovën e bëri sakrificën. Mbase nuk kishte motiv të fortë të luante për ne. Ose nuk besonte në projektin që na çoi në Evropian”, ka thënë De Biasi.

Më tej, ai ka thënë se prania zyrtare e Kosovës në eliminatore mund të krijojë probleme për skuadrën kombëtare të Shqipërisë për zgjedhjet e lojtarëve.

“Besoj se po, sepse shumë lojtarë që më parë luanin në ekipin kombëtar shqiptar, tani do të luajnë për ekipin e Kosovës, do të kthehen në vendin e tyre të origjinës”.

“Kemi një mirëkuptim me federatën e Kosovës dhe nuk ia prishim njëri-tjetrit planet. Ata kanë të drejtë të ftojnë të parët lojtarët me origjinë kosovare”, ka deklaruar strategu italian.