Legjenda spanjolle, David Villa ka zgjedhur fjalët më të mira për talentin e Barcelonës dhe Spanjës, Lamine Yamal.
12 muajt e fundit do të kishin qenë përtej edhe ëndrrave më të egra të Lamine Yamal. Pasi u vendos si lojtar i rregullt te Barcelona sezonin e kaluar, ai ka shkuar kështu për Spanjën në Euro 2024. Kujtojmë se ai është vetëm 16 vjeç.
Shumë janë habitur nga niveli i performancës së Lamine Yamal në një moshë kaq të re, dhe është e qartë se ai ka potencial të pakufizuar.
Megjithatë, ish-sulmuesi i Barcelonës, Atletico Madridit dhe Spanjës, David Villa ka thënë se është gjithashtu e rëndësishme që pritshmëritë të menaxhohen në vitet e ardhshme.
“Ai është një lojtar unik dhe i veçantë. Në vetëm 16 vjeç, ai drejton Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle në Kampionatin Evropian – kjo flet vetë”, ka thënë fillimisht Villa për Mundo Deportivo.
“Ne do ta shijojmë atë, jo t’i bëjmë presion sepse ai është shumë i ri, edhe pse e shohim të luajë ashtu siç bën”.
“Ne duhet ta ndihmojmë atë të shfrytëzojë potencialin që ka në vitet e ardhshme”, përfundoi legjenda spanjolle.
Për Barcelonën dhe Spanjën është një shenjë e mirë që Yamal është tashmë një nga sulmuesit e krahut të djathtë më të mirë në botë, megjithëse është e domosdoshme që ai të menaxhohet siç duhet, në mënyrë që karriera e tij të zgjatet sa më gjatë. /Telegrafi/