Tashmë është bërë e ditur se David Silva dëshiron të largohet nga Manchester City me të përfunduar ky sezon.
Mesfushori spanjoll ka njoftuar skuadrën angleze se aventura e tij në Ligën Premier do të përfundojë në këtë verë, pas dhjetë vitesh të kaluara aty.
Silva ka luajtur 300 ndeshje për Citizens, derisa ka shënuar 50 gola, e që është mund të konsiderohet si legjendë e tyre.
Mirëpo, tani është koha që ai të largohet dhe të rikthehet në vendlindjen e tij, por që sërish do të luajë futboll.
David Silva iu bashkua Valencias në vitin 2000, kur ishte vetëm 14 vjeç dhe në 2010-në u transferua në mënyrë të bujshme te Manchester City, por duket i bindur që të mos i “varë këpucët në gozhdë” pa veshur edhe njëherë fanellën e skuadrës së tij të zemrës.
Mësohet se palët po negociojnë për kohëzgjatjen e kontratës dhe pritet që David Silva të nënshkruajë për dy sezonet e ardhshme me Valencian, për t’u tërhequr më pas nga futbolli, kur të ketë 36 vite mbi supe. /Telegrafi/