David Haye beson se Anthony Joshua do ta nokautojë Tyson Furyn në mega meçin që pritet të zhvillohet në fund të muajit qershor ose në fillim të muajit korrik të këtij viti.
Marrëveshja mes të dy kampionëve britanikë në peshat e rënda tashmë është arritur dhe do të fitojnë secili mbi 100 milionë euro.
Në marrëveshje potencohet se do të jetë një tjetër duel në fund të këtij viti, me fituesin që merr 60 për qind të shumës, për dallim nga humbësi që fiton pjesën e mbetur (40%).
Por, në një intervistë për Sky Sport News, Haye ka thënë se Gypsy King është një boksier i paparashikueshëm, gjë që u pa edhe në duelin me Deontay Wilderin, mirëpo AJ mund të shkaktojë një fitore befasuese.
“Mendoj se është koha ideale që Anthony Joshua të fitojë”, ka thënë ai. “Tyson Fury është në nivel të lartë. Fitorja ndaj Wilderit i sjelli atij miliona dollarë, motivi i tij do të jetë në qiell dhe Fury e kampi i tij nuk e vlerësojnë aq lartë AJ. Kjo gjë mund t’u shkaktojë atyre probleme”.
“Nëse Tyson Fury sulmon Anthony Joshuan në stilin e njëjtë (si ndaj Wilderit), nuk besoj se do të funksionojë”.
“Mendoj se ai duhet të jetë më i hapur, duhet të veprojë shpejtë, të jetë atlet dhe më i lëvizshëm ndaj Joshuas, pasi mund të pranojë grushte të fuqishëm”.
“E di se është një parashikim kontrovers, mirëpo kjo gjë pritet t’i ndodhë atij në këtë duel”, ka shtuar më tej Haye.
Joshua dhe Fury së shpejti do të mësojnë lokacionin dhe datën se ku do të zhvillohet meçi historik për kampionin e unifikuar në peshat e rënda. /Telegrafi/