Ylli i famshëm anglez, David Beckham dhe gruaja e tij, Victoria, i kanë dhuruar rrobat e tyre që i kishin veshur në martesën mbretërore të princit Harry dhe aktores Meghan Markle.
Përfitimet nga shitja e rrobave të tyre do t’i dhurohen fondacionit “We Love Manchester”, gjegjësisht viktimave të sulmeve me bombë në Mançester.
Martesën e princit Harry dhe aktores Meghan e kanë ndjekur milionë njerëz nga e gjithë bota, ndërsa çifti Beckham ishin ndër të famshmit e shumtë që ishin pjesëmarrës.
Në këtë eveniment, David kishte veshur kostum Dior me inicialet e tij, ndërsa Victoria kishte zgjedhur një fustan të kaltër të errët nga koleksioni i saj.
Në ndërkohë në ditët e fundit është spekuluar për krisje në raportet e çiftit të famshëm britanik.
Ka pasur thashetheme për një aferë të ish-futbollistit, saqë ishte spekuluar se Victoria mendon për shkurorëzim.
Megjithatë, çifti i popullarizuar është fotografuar bashkë gjatë një spektakli të modës në Londër duke i heshtur thashethemet për ndarje. /Telegrafi/