Është duke u komentuar shumë aspekti se si kanë votuar kapiten e ekipeve ndërkombëtare për të nominuarit e çmimit “The Best” nga FIFA.
Ceremonia e mbajtur mbrëmë në Paris e shfaqi Lionel Messin si lojtarin më të mirë për vitin 2022.
Por, votat e kapitenëve të ekipeve kombëtare kanë zënë në befasi shumë kënd, siç është rasti i David Alabas.
Mbrojtësi i Real Madridit votoi për Lionel Messin në kategorinë e lojtarit më të mirë të FIFA-s për meshkuj, përpara shokut të skuadrës, Karim Benzemas. Pasi mori shumë kritika që kur lajmi doli në dritë, kapiteni i Austrisë përmes rrjeteve sociale ka shpjeguar vendimin e tij.
“Lidhur me çmimin më të mirë të FIFA-s: Kombëtarja e Austrisë votoi për këtë çmim si ekip, jo vetëm unë. Të gjithë në këshillin e ekipit mund të votojnë dhe kështu vendoset. Të gjithë e dinë, veçanërisht Karimi, sa shumë e admiroj atë dhe paraqitjet e tij dhe e kam thënë shpesh se për mua ai është sulmuesi më i mirë në botë, dhe kështu është ende. Pa dyshim”, ishte arsyetimi i tij.
Lista e kombëtares austriake votoi Messin përpara Benzemas, me Kylian Mbappen që është në vendin e tretë. Votimi, megjithatë, u regjistrua zyrtarisht si i ardhur vetëm nga kapiteni Alaba. /Telegrafi/
Regarding FIFA The Best Award:
The Austrian national team vote for this award as a team, not me alone. Everyone in the team council is able to vote and that's how it's decided.Everyone knows, especially Karim, how much I admire him and his performances
— David Alaba (@David_Alaba) February 28, 2023