Deputetja e “Frontit Europian” dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rininë, Ilire Dauti, në një deklaratë për mediat sot deklaroi se nuk e sheh interpelancën e dorëzuar për të nga deputetët e “Së Majtës” si personale kundër saj, por, siç tha ajo, si luftë kundër njerëzve që luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.
“Duhet të jemi të preokupuar me interpelancën, sepse një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë. Mendoj se kjo nuk do të jetë e drejtë për demokracinë, për njerëzit që kërkojnë barazi për të gjithë qytetarët.
Interpelancën nuk e shoh si personale kundër meje, por luftë kundër njerëzve që po luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, në këtë rast edhe kundër palës tjetër, ish-ushtarakëve të UÇK-së që morën pjesë në konfliktin ushtarak në vitin 2001”, tha Dauti.
Daui thekson se deri më tani ka punuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“Është e rëndësishme që gjatë gjithë punës sime kam punuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe këtë e kam bërë sot. Nëse pranoj propozime afatet e të cilave tashmë kanë kaluar, atëherë do të shkoja kundër Rregullores së Kuvendit”, shtoi Dauti.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, të hënën ka procesuar shqyrtimin e interpelancës kundër kryetares së Komisionit parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, të paraqitur nga deputetët e “Së Majtës”. Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës ka kërkuar menjëherë që ai të tërhiqet menjëherë nga shqyrtimi i interpelancës./Telegrafi/