Telegrafi

Daut Haradinaj: Veterani më i rrejshëm është Albin Kurti

Ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, mori pjesë në protestën kundër Qeverisë dhe Ligjit për paga të miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës, por në të njëjtën kohë shfrytëzoi rastin për t’iu kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti për listat e fryra për veteranët e UÇK-së.

Haradinaj tha se për çështjen e fryrjes së listave Kurti po harron që ka të gjithë mekanizmat për të pastruar ato dhe për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që nuk janë veteranë.

“Tash të jemi të qartë ata po thirren që lista është e fryrë.  Përmbajtja e kësaj teme ishte pikërisht rreth fyerjes së listave, ndërsa në anën tjetër po e neglizhojnë faktin që i kanë të gjithë mekanizmat në dorë për pastrimin e listave. Pra sa dalin vajtojnë nëpër konferenca shtypin le ti marrin masat. Le t’i pastrojnë listat dhe ai që është i kundërligjshëm pjesë e veteranëve le të largohet prej asaj liste. Le të sanksionohet, se ligji është shumë i qartë”, tha Haradinaj, transmeton KP.

Ish-luftëtari i UÇK-së u shpreh se veterani më i rrejshëm në këto lista është Albin Kurti, i cili duhet të largohet i pari.

“Një prej veteranëve më mashtrues më të rrejshëm në krejt këtë listë është Albin Kurti, i cili s’e ka pasur kurrë pushkën në dorë e gëzon statusin e veteranit. E, veteranë si Albin Kurti kanë qenë 2 milionë qytetarë se të gjithë kanë qenë në luftë… Nuk e dëgjova që ai hoqi dorë prej statusit të veteranit. Edhe ju gazetarë bëjani këtë pyetje pse ai nuk heq dorë prej statusit të veteranit, meqenëse nuk ka qenë ushtar i armatosur. Ligji e thotë qartë që çdo qytetar që ka qenë me armë e gëzon të drejtën e veteranit, e zotëri Kurti vet ka thënë disa herë që nuk ka qenë i armatosur, pra nuk është veteran”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se do të ketë protesta deri në përmbysjen e Qeverisë së Kurtit në rast se nuk reflekton në kërkesat e parashtruara.