Telegrafi

Daut Haradinaj, i ashpër kundër ndarjes së Kosovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj zërave për ndarjen e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se nëse ndodh ndarja e Kosovës, hapet Kutia e Pandorës dhe shqiptarët do kërkojnë bashkimin në një shtet.

“Serbia nuk është që shqetësohet për qytetarët e saj sa është e interesuar të përvetësojë maksimumin e territoreve shqiptare, ndërsa shqiptarët edhe njëherë në emër të„ paqes dhe pajtimit “do të humbnin pjesë vitale të tyre: territorin, ujin, minierat dhe minerale”, ka shkruar ai.

Haradinaj me tej ka thënë se Kosova duhet të kërkojë të drejta për shqiptarët e Luginës aq sa u ofrohen qytetarëve serbë ne Veri të Kosovës.

“Territoret të mbesin si të tilla me koncept vizion por edhe rrugë e orientim euro- atlantik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Shkrimi i plotë i Daut Haradinajt në Facebook:

Nëse e keni kërku Kosovën multietnike dhe me „diskriminim pozitiv“ për serbët e Kosovës , kurse ne- shumica shqiptare ua kemi pranu, tash ideja për ndarje është vetëm fillimi i shkatërrimit të krejt asaj që u ndërtu qe gati dy dekada. Serbët tash 19 vjet janë mundu në forma të ndryshme me kriju mvetësi për Kisha e Manastire, enklava të vogla e vendbanime puro serbe në krejt territorin e Kosovës.

Sot, pas krejt këtyre viteve pa asnjë shqetësim po mundohen t‘i harrojnë ato. Por kjo nuk është e tëra: shqiptarët në rajon me të drejtë do të kërkojnë bashkimin e territoreve me Shqipërinë, territore të shpërndara në Republika të ish- Jugosllavisë, e kjo nënkupton , hapjen e kutisë së Pandorës , që me automatizëm nis mundesinë e konflikteve të reja në rajon.

Pra Serbia nuk është që shqetësohet për qytetarët e saj sa është e interesuar të përvetësojë maksimumin e territoreve shqiptare, ndërsa shqiptarët edhe njëherë në emër të „paqes dhe pajtimit“ do të humbnin pjesë vitale të tyre: territorin, ujin, minierat dhe mineralet.

Një pretendim fallco se Serbia do jetë me Evropën duke mohu lirinë themelore të qytetarëve të saj , kujtojmë popullin Shqiptar ne Luginë dhe Vojvodinë, s‘mundet të sillet ndryshe pos si një grabitqare!

Në këtë rast, ne duhet vendosmërisht të kërkojmë të drejta për shqiptarët e Luginës aq sa u ofrohen qytetarëve serbë ne Veri të Kosovës. Territoret të mbesin si të tilla me koncept vizion por edhe rrugë e orientim euro- atlantik.

Çdo gjë që shkon kundër kësaj do të jetë me pasoja të paparashikueshme!