Të mërkurën në Prishtinë është mbajtur konferenca “The Future of Business”, ku u bë prezantimi i studimit “Sfidat, trendet dhe mundësitë e të bërit biznes”.
Shpend Ahmeti nga Data4X ka prezantuar të gjetura nga studimi i bërë me biznese në Kosovë, derisa tha se që nga viti 2018 sektori privat është dyfishuar sa i përket qarkullimit.
“Te pjesa e temave që kemi përfshi janë prioritetet dhe sfidat për të ardhmen. Niveli i pjekurisë së bizneseve, gatishmëria për transformim, menaxhimi i talentit, adaptimi i teknologjive të reja, parashikimet dhe trendet për vitin 2025 dhe gatishmëria për përshtatje”, tha Ahmeti, transmeton Telegrafi.
Tutje, ai shtoi se “Sektori privat po rritet në hapa me hapa me të shpejt sesa ekonomia në përgjithësi. Ekonomia është shumë e varur prej ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”.
Disa nga prioritetet që kanë bizneset janë: Zgjerimi i bizneseve përmes produkteve dhe tregjeve; Ulja e shpenzimeve; Modernizimi i infrastrukturës; Menaxhimi i talentit; Adaptimi i Teknologjisë; Financimi i bizneseve.
Ndërsa, si sfida të jashtme u përmenden: Rritja e çmimeve të materialeve bazë; Lëvizjet dinamike të tregut; Klima jo stabile gjeopolitike.
“The Future of Business është edicioni i parë i konferencës që po mbahet sivjet. Qëllimi i konferencës ka qenë me mbledh liderët e bizneseve për me i prezantu sfidat që ata kalojnë, çfarë kanë prioritet dhe si e shohin ata formësimin në të ardhmen. Këtë e kemi bërë duke i targetuar mbi 100 biznese në Kosovë, ku kemi realizuar anketim për të kuptuar sfidat e brendshme dhe të jashtme ata që kanë”, tha për Telegrafin, Flandra Marmullaku – Drejtore Menaxhuese në Data4X.
Pas prezantimit të të gjeturave, aty u mbajtën edhe disa diskutime në panel me mysafirë të ndryshëm.
Në diskutimin e parë në panel ishin Teuta Ukshini Aliu, partnere menaxhuese në RE Investment, Agron Llugaliu, drejtor gjeneral në Doganën e Kosovës dhe Ilir Murtezaj, drejtor gjeneral në Administratën Tatimore të Kosovës./Telegrafi/