Telegrafi

I dashuri i vuri flakën me benzinë, vdes pas disa ditësh vuajtje atletja Rebecca Cheptegei

Një lajm i tmerrshëm ka mbërritur sot (e enjte) nga Kenia, ku mbeti e vdekur maratonistja olimpike Rebecca Cheptegei nga Uganda, e cila së fundmi garoi në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

33-vjeçarja Cheptegei u vra nga i dashuri i saj në banesën e tij, duke e lyer me benzinë ​​dhe duke i vënë flakën.

Të dielën, Cheptegei u shtrua në spital dhe u konstatua se kishte djegie të rënda në 80 për qind të trupit, ndërsa mëngjesin e sotëm u njoftua se ajo nuk i mbijetoi plagëve të marra.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se atletja jonë Rebecca Cheptegei, e cila tragjikisht u bë viktimë e dhunës në familje, ndërroi jetë herët në mëngjes. Si federatë, ne dënojmë akte të tilla dhe bëjmë thirrje për drejtësi. Shpirti i saj u preftë në paqe”, njoftoi Komiteti Olimpik i Ugandës.

 

Ndryshe, Cheptegei zuri vendin e 44-të në garën e maratonës në Lojërat Olimpike në Paris, duke arritur rezultatin më të mirë të sezonit të saj prej 2:32.14.

Ajo gjithashtu fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror të vrapimit në mal dhe në shtigje në vitin 2022 në Chiang Mai të Tajlandës. /Telegrafi/