Departamenti Amerikan i Shtetit ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që ndodhen në Shqipëri që të kenë kujdes ditën e premten, kur zhvillohet ndeshja e kombëtares kuqezi kundër Izraelit.
Dy skuadrat e këtyre përfaqësueseve do të luajnë në Elbasan Arena në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ndërkaq, në paralajmërimin e DASH-it thuhet se nuk kanë ndonjë informacion për kërcënime specifike ndaj shtetasve amerikanë, porse ata duhet të kenë kujdes.
“Tiranë, Shqipëri, alarm: Një ndeshje futbolli ndërmjet ekipeve kombëtare të Shqipërisë dhe Izraelit do të zhvillohet më 7 shtator, 20:45”.
“Tash për tash nuk jemi në dijeni të kërcënimeve specifike ndaj qytetarëve amerikanë”.
“Megjithatë, qytetarët amerikanë duhet të jenë të kujdesshëm në afërsi të stadiumit të Elbasanit, para dhe gjatë ndeshjes”, shkruan në një postim të DASH-it në Facebook.
Kujtojmë që ndeshja e fundit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit ishte zhvilluar nën masa të rrepta sigurie. /Telegrafi/