Mbrojtësi i Interit, Matteo Darmian, ka folur para ndeshjes me Arsenali në Ligën e Kampionëve, ku u pyet edhe për shpejtësinë e lojës që zhvillohet në Ligën Premier dhe Serie A.
Interi pret Arsenalin në “San Siro” të mërkurën në raundin e katërt të Ligës së Kampionëve.
Ka qenë trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, që ka pohuar së fundmi se problemet fizike të Federico Chiesa janë pjesërisht për shkak të intensitetit më të ulët që ka Serie A në krahasim me Ligën Premier, gjë që Darmian që ka luajtur te Man Utd u pyet për këtë pjesë.
“Nuk e di. Unë kam luajtur në Ligën Premier dhe sigurisht, është një lloj tjetër futbolli në aspektin kulturor”.
“Ka më pak taktika, kështu që ndeshjet duken më të shpejta, por unë mendoj se Serie A është gjithashtu një ligë e vështirë”.
“Këtë e dëshmon fakti se skuadrat angleze kanë vështirësi kur takohen me italianë”, deklaroi Darmian. /Telegrafi/