Kryeministri Albin Kurti është gëzuar pas fitores së Përfaqësueses së Kosovës ndaj Irlandës në kuadër të para-kualifikuesve të Kupës së Botës në basketboll.
Kosova e ka nisur me fitore ciklin e ri kualifikues për Kupën e Botës 2027, duke mposhtur Irlandën me rezultatin 83:76.
Te Dardanët më i miri ishte Drilon Hajrizi me 20 pikë, nëntë kërcime e tri asistime. Pas tij me 19 pikë ishte Dardan Berisha, ndërsa Mikaile Tmusic kontribuoi me 11 pikë.
Në këtë ndeshje i pranishëm ishte edhe kryeministri Kurti, i cili iu ka gëzuar pa masë fitores së Kosovës.
Pas ndeshjes, i pari i Qeverisë tha se “Dardanët i dalin zot Kosovës”.
Postimi pa ndërhyrje i Albin Kurtit
Dardanët i dalin zot Kosovës!
Në palestrën e mbushur përplot të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, në çerekun e fundit të lojës të gjithë ishim në këmbë në kërkim të fitores. 83 me 76 ishte rezultati fitues i basketbollistëve tanë ndaj Irlandës.
Këtë të diel, e luajmë ndeshjen e radhës si mysafir kundër Azerbajxhanit.
Duke besuar në sukses, vazhdojmë me hapa të sigurtë në rrugëtimin tonë për parakualifikimet e Kupës së Botës.
/Telegrafi/