Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, i ka përgënjeshtruar raportimet se do të japë dorëheqje nga pozita e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u kthyer në Komunën e Prishtinës.
Ai shkurtimisht për Kallxo.com ka thënë se do të vazhdojë ta mbajë ulësen e deputetit të Kuvendit të Kosovës.
“Jo, nuk është e vërtetë, nuk do të jap dorëheqje. Lajmi që do të jap dorëheqje nga pozita e deputetit është i pasaktë”, tha Sejdiu.
Sot gjatë ditës u raportua në media se Dardan Sejdiu do të japë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës për t’iu bashkuar ekipit të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, në pozitën e nënkryetarit të Komunës.
Në fillim të këtij viti, Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Vetëvendosje. Ai kishte mbajtur pozitën e nënkryetarit të parë të partisë.
“Veprimin tim politik do ta vazhdoj si deputet edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në përputhje me bindjet e mia”, kishte shkruar Sejdiu në letrën e dorëheqjes.