Site icon Telegrafi

Dardan Molliqaj dhe disa anëtarë tjerë të PSD-së lirohen nga Policia

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se pas 24 orësh izolim janë liruar nga Policia e Kosovës, ndërsa ka njoftuar se nën arrest shtëpiak janë Nol Nushi dhe Genc Sherifi.

Molliqaj ka thënë se pushteti ka urdhëruar mbajtjen e tyre 48 orësh, sipas tij pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë, transmeton Telegrafi.

“Ndaj një proteste paqësore që synim kishte zbardhjen e mashtrimit për rritjen e çmimit të energjisë, pushteti përdori policinë. Ndaj protestuesve që u nxorën me dhunë, pushteti urdhëroi mbajtje 48 orëshe pa ekzistuar asnjë rrethanë ligjore për një vendim të tillë. Pyetjeve tona se sa është rritur çmimi i rrymës e sa fiton KEDS-i në krejt këtë krizë, pushteti iu përgjigj me dhunë e disiplinë”, thotë ai.

Kreu i PSD-së thotë se “vendimeve të padrejta dhe thellimit të pabarazisë, Qeveria Kurti po i përgjigjet në mënyrën më tipike për pushtetet me mendësi autoritare: dhunë e disiplinim.

“Pas 48 orësh izolim, u liruam të gjithë. Pa ndërruar asnjë rrethanë. Ndërkohë që prokuroria po mban ende nën arrest Nol Nushin dhe Genc Sherifin, në një farsë gjyqësore pa asnjë kuptim ligjor”, shton tutje ai

Ndryshe, Dardan Molliqaj dhe anëtarë tjerë të PSD-së janë arrestuar më 14 shkurt, në objektin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Lexo po ashtu Arrestohet Dardan Molliqaj dhe zyrtarët e PSD-së te objekti i ZRRE-së

Aktivistët e PSD-së kishin hyrë në ambientet e ZRRE-së duke insistuar se nuk do t’i lëshojnë zyrat deri në publikimin e vendimit të fundit mbi tarifat e reja të rrymës.

Gjatë protestes, zyrtarë të PSD-së ia ndalin rrymën ZRRE-së në zyrat e saj.

Në zyrën e ZRRE-së kishte ardhur edhe Policia e Kosovës duke iu kërkuar zyrtarëve të PSD-së ta lirojnë hapësirën.

Ditë më parë, Bordi i ZRRE-së në mbledhjen e fundit ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh. /Telegrafi/

Exit mobile version