Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, të dënuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, janë paraqitur para Gjykatës së Apelit këtë të enjte.
Seanca ka filluar në orën 10:00, kanë konfirmuar për Telegrafin nga gjykata.
Për këtë vrasje, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar Krivaqën me burgim të përjetshëm, ndërkaq Sejdiun me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike.
Viktima nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Me këtë ata në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Dardan Krivaça është liruar nga akuza për “dhunim”. /Telegrafi/