Site icon Telegrafi

Dallimet mes diabetit të tipit 1 dhe tipit 2, endoktrinologia Emini-Sadiku tregon çfarë duhet të kenë parasysh pacientët

Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Merita Emini – Sadiku, ka folur për shërbimet që ofrohen për pacientët me sëmundje endokrinologjike nga e gjithë Kosova.

Ajo përmend disa nga shërbimet dhe medikamentet që mund të marrin pacientët në Klinikën e Endokrinologjisë.

Drejtoresha shpjegon se pacientët me diabet marrin insulinën falas, e cila sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë, duke ulur kështu barrën financiare për shumicën e pacientëve.

Megjithatë, ajo thotë se jo të gjitha medikamentet janë të përfshira në listën e barnave esenciale për shkak të buxhetit të Kosovës.

Duke folur për sëmundjet e diabetit, Emini Sadiku tregon dallimet midis diabetit tip 1 dhe tip 2.

“Atëherë sëmundja e diabetit shoqërohet me rritjen e sheqerit në gjak, apo ndryshe e quajnë hiperglikemi. Këto që po i thoni ju dallimet, janë dy prej formave më të shpeshta të diabetit. Diabeti  tip 2 që ka diku 90% të të gjithë pacientëve me diabet, dhe diabeti tip 1, që kap diku afër 8-9%, pjesa tjetër janë forma më specifike dhe më të rralla.

Si sëmundje diabeti ka të bëjë me rezistencën në insulinë. Insulina është një prej hormoneve që e rregullon sheqerin në gjak, por ndonjëherë nuk është e efektshme dhe quhet si rezistencë insulinike, edhe pse niveli është shumë i lartë, ose mungesa e plotë e insulinës, të dyja këto komponentë çojnë në diabet. Domethënë te diabeti tip 2 mund të kemi insulinë, por nuk është e efektshme. Ndërsa te diabeti 1 kemi mungesë totale të insulinës. Prandaj këta pacientë, të cilët kryesisht janë të rinj, fëmijë dhe mosha më të reja, e kanë të nevojshme trajtimin me insulinë qysh nga fillimi i sëmundjes”, shpjegoi ajo.

Drejtoresha potencoi se të dyja sëmundjet, llojet e diabetit, shoqërohen me rritjen e sheqerit, me nevojën për të pirë ujë më shumë, për të urinuar më shumë  dhe humbje në peshë. Në fillim të sëmundjes me lodhje.

“Ndërsa, trajtimi po ashtu dallon sepse te diabeti të tipi 1 fillon trajtimi me insulinë, ndërsa diabeti tip 2 trajtohet me barëra për vite të tëra ose përgjatë tërë jetës. Vetëm 30 për qind e atyre me diabet të tipit 2 dy kanë nevojë për trajtim me insulinë në një fazë të vonshme të sëmundjes”, tha ajo.

Ajo thekson rëndësinë e një stili të shëndetshëm jetese, përfshirë një dietë të ekuilibruar dhe aktivitet fizik, për të parandaluar shfaqjen e diabetit dhe komplikimet e mundshme.

Drejtoresha gjithashtu flet për faktorët tjerë që kontribuojnë në zhvillimin e diabetit, përfshirë edhe stresin e po ashtu edhe kujdesi në ushqime.

“Ushqimi i shëndetshëm nënkupton sa më pak sheqer, jo vetëm sheqeri i tavolinës, sheqeri i bardhë, por edhe buka e bardhë. Brumërat, krejt çfarë mundet me qenë produkt i miellit, është problem se ka sheqer shumë, në pije të gazuara ose pije të ndryshme, të cilat gjenden shumë lirë në treg…”, potencoi drejtoresha Sadiku – Emini.

Doktoresha thotë se  varësisht zhvillimit të sëmundjes, pacientët e prekur nga diabeti duhet çdo tre muaj ta bëjnë trejmujorin e sheqerit, apo ndryshe hemoglobinën, e glukozuar, e cila tregon për kontrollin e sheqerit gjatë kësaj periudhe.

“Varësisht prej zhvillimit të komplikimeve, duhet ta dëgjojnë mjekun e tyre, qoftë mjekun familjar ose endokrinolog, për skemën e kontrolleve të cilat duhet t’i ndjekin gjatë vitit”, thotë doktoresha Sadiku-Emini. /Telegrafi/

 

Exit mobile version