Bashkë në Qeveri por të ndara për çështjen e Kosovës. Dy partitë më të mëdha të koalicionit qeverisës LSDM dhe BDI, mbajnë qëndrim të kundërt për ushtrinë e Kosovës. Pavarësisht reagimeve të partive dhe qytetarëve shqiptarë, LSDM-ja vazhdon të mbroj qëndrimin e kryeministrit Zaev, se vendimi i Kosovës për formimin e ushtrisë ishte i përshpejtuar. Të dy partitë, LSDM dhe BDI, mohojnë të ketë lëkundje në koalicionin qeverisës, pavarësisht se mbajnë qëndrime të kundërta. Edhe partneri tjetër i koalicionit, Besa e Gashit mendon ndryshe nga Zaev dhe e mbështet formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Unë nuk kam çfarë të shtoj asgjë aty. Ajo është deklarata e kryeministrit dhe nuk kam çfarë të shtoj. Nuk kam deklaratë plotësuese- Dime Vellkovski”, Deputet i LSDM-së.
Zv. kryeministri nga radhët e BDI-së, Bujar Osmani thotë se qëndrimi i Zaev ka qenë në të njëjtën vij ne NATO-n. Sipas tij, Qeveria e RM-së e ka njohur Kosovën si shtet që nga pavarësimi i saj, bashkë me të edhe atributet shtetërore. Osmani ripërsëriti se BDI e mbështet fuqishëm ushtrinë kosovare.
“Kryeministri më tepër ka reflektuar qëndrimin e NATO-s dhe BE-së si vend që pretendon të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së. Duke pasur parasysh se NATO dhe BE brenda ka vende anëtare që nuk e kanë pranuar Kosovën. Mirëpo qëndrimi është i qartë, Qeveria e RM-së e ka pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe kjo nënkupton të gjitha karakteristikat dhe vetit e një shteti. Nuk besoj që ka këtu dilema në këtë drejtim. Më tepër ishte çështja e dinamikës së formimit. Ne si BDI absolutisht e uruam dhe përgëzuam, ishte një prej ditëve më të rëndësishme jo vetëm të shqiptarëve të Kosovës por edhe rajonit në përgjithësi”, Bujar Osmani zv. kryeministër
Edhe partneri tjetër i koalicionit, Besa e Gashit mendon ndryshe nga Zaev dhe e mbështet formimin e ushtrisë së Kosovës.
“Formimi i ushtrisë së Republikës së Kosovës është e drejtë fondamentale e shtetit kosovar dhe mirënjohje për popullin e Kosovës. Aq më shumë që kjo po bëhet me dakordimin e aleatit tonë të madh, SHBA-ve. Maqedonia dhe Kosova janë orientuar drejt NATO-s dhe kjo i bën të kenë agjendë të përbashkët të sigurisë dhe stabilitetit”, thonë nga Lëvizja Besa e Gashit
Aleanca për Shqiptarët e ka dënuar deklaratën e kryeministrit Zaev, se themelimi i ushtrisë është bërë në kohë të gabuar. Opozitarët shqiptarë kërkojnë që kryeministri të tërheq deklaratën e thënë.
“Deklarata e Kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev për transformimin e FSK në Ushtri të Kosovës tregojnë fytyrën e zezë dhe nacionaliste të Kryeministrit Zaev, fillimisht ndaj shqiptarëve, Kosovës si dhe ndaj SHBA-ve si mbështetës kryesor i Kosovës në themelimin e Ushtrisë së saj. Një Kosovë pa ushtri do ti konvenonte vetëm Serbisë dhe Rusisë. Aleanca për Shqiptarët kërkon që Kryeministri Zaev sa me parë të heq deklaratën e tij”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët
Ndërkaq opozita maqedonase ende nuk ka qëndrim të qartë. Nga OBRM-PDUKM-ja thonë se po analizojnë formimin e ushtrisë së Kosovës dhe se së shpejti do të dalin me qëndrim konkret./Alsat-M/