Më shumë se dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe një muaji pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, partitë politike ende nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e kryeparlamentarit, pastaj formimit të qeverisë.
Periudhën e fundit është lakuar disa herë nëpër media një marrëveshje e mundshme në mes koalicionit PAN dhe AKR-së, por kjo është demantuar nga vet Pacolli siç ka thënë ai “Nuk ka pasur asnjëherë marrëveshje në mes palëve”.
Megjithatë sot ka pasur risi në këtë drejtim.
Sekretari i Aleancës Kosova e Re, Rrahim Pacolli konfirmoi për Telegrafin largimin e tyre nga koalicioni parazgjedhor LAA, pa dhënë përgjigje shtesë se a do të bëhen bashkë me koalicionin PAN.
“Partia do të vendosë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës i ka shpeshtuar mbledhjet e kryesisë. Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Ai tha se takimi i cili do të zhvillohet sot ka si temë diskutimi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Takimi i sotëm ka për temë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë si dhe për organizmin e partisë për zgjedhjet lokale”, ka thënë Hoxhaj.
Mbledhja e Kryesisë së PDK-së, pritet të mbahet sot në ora 16:00, bëjnë të ditura burimet e Telegrafit.
Ndryshe, për të gjashtën herë me radhë më 24 gusht ka dështuar zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat u mbajtën më 11 qershor. /Telegrafi/