Site icon Telegrafi

Dalin në shitje biletat e ndeshjes Shqipëri-Maqedoni

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar çmimet e biletave për sfidën Shqipëri-Maqedoni që do të luhet në datën 5 Shtator në stadiumin Loro Borici të Shkodrës.

Në faqen zyrtare FSHF bën të ditur se në mbledhjen e radhës komiteti ekzekutiv i ekzekutiv i federatës shqiptare të futbollit ka miratuar çmimet e biletave për takimin e parë që kombëtarja kuqezi do të zhvillojë në grupin G, i vlefshëm për eliminatoret e Botërorit Rusi 2018.

Çmimet e biletave sillen nga 1000 lekë deri në 8000 lekë të reja.

Kështu për sfidën debutuese të Shqipërisë në Loro Boricin e rinkonstruktuar një biletë në tribunat C2, C3, C4, E2, E3 ose E4 që janë ato prapa portave kushton 1000 lekë.

1500 lekë është vlera e biletave në tribunat C1, C5, E1 dhe E5. Në tribunat përkarshi cmimet e biletave janë disi më të larta, pasi variojnë nga 2000 deri në 3000 lekë.

Kështu një biletë në tribunat D1 dhe D4 kushton 2000 lekë ndërsa në D2 dhe D3, 3000 lekë të reja. Si zakonisht një biletë për të parë një ndeshje të kombëtares shqiptare kushton më shtrenjtë në tribunën qendrore.

Për ndeshjen ndaj Maqedonisë një biletë në këtë pjesë të stadiumit, pra në tribunat A dhe B ka vlerën e 8000 lekëve.

FSHF bën gjithashtu të ditur se fillimisht biletat për takimin e 5 Shtatorit do të nisin të shiten online në faqen zyrtare të federatës shqiptare të futbollit.

Exit mobile version