Tifozët e Arsenalit e kanë të njëjtin shqetësim lidhur me fanellën potenciale për ndeshjet si vendas në sezonin 2023/2024, pasi fotografitë kanë ‘rrjedhur’ në internet.
Mbështetësit kanë frikë se dekorimi ngjyrë ari i fanellës do të funksionojë vetëm nëse Topçinjtë e fitojnë titullin këtë sezon – transmeton The Sun.
Klubet që e fitojnë titullin e kampionatit anglez zakonisht e nderojnë suksesin me fanellat për sezonin pasues. Mbajtësit e titullit shpërblehen me emblemë të artë të Ligës Premier në mëngët e fanellës, ndërsa pjesa tjetër e klubeve kanë emblemë të zakonshme.
Këtë sezon, Manchester City e mban emblemën e artë në fanellë kur luajnë në kampionat, duke qenë se në edicionin e kaluar u shpall kampion.
Dhe fanella e supozuar e Arsenalit duket se është dizajnuar në këtë frymë me zbukurime ari në mëngët, si dhe me ‘shkrepje’ ari në pjesën e pasme të qafës dhe në logon e prodhuesit.
Fotografitë e pakonfirmuara të fanellave janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe tifozët kanë thënë se ato fanella do të kenë vlerë vetëm nëse Arsenali shpallet kampion i Ligës Premier. /Telegrafi/