Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe sot është shoqëruar me replika të ashpra.
Debati mes anëtarëve të KQZ-së filloi pasi në mbledhje u diskutua për votimet në veri dhe përfaqësimin e komuniteteve në Kuvend, transmeton Telegrafi.
Kjo gjë shkaktoi nervozë te kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila kërkoi të mos diskutohet për çështje politike.
“Bollni me cirkuz politik, që po bëni në vazhdimësi, çështjet politike diskutoni në parlament. Këtu nuk është parlament. Ne vetëm organizojmë zgjedhjet, vazhdoni flisni para mediave”, ka thënë Daka.
Edhe pasi Daka doli nga salla e mbledhjes, debati mes anëtareve ka vazhduar. Ndërsa, anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi tha se askush nuk mund t’i ndalë ndryshimet e as KQZ.
“Nëse dikush ka thënë se boshnjakët nuk kanë vend në Kuvend, këtë unë nuk e them”, tha Kurteshi.
Gjithashtu, Kurteshi kërkoi nga KQZ të anulohen vendvotimet në veri.
“KQZ i ka të gjitha faktet që të anulojë vendvotimet, por nuk dëshiron”, tha ai./Telegrafi/