Site icon Telegrafi

Daka flet për përgatitjet e zgjedhjeve, këtë vit katër qendra më pak të votimit

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në një intervistë të dhënë për Telegrafin, ka folur rreth përgatitjeve që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mbahen më 6 tetor.

Daka ka folur për qendrat e votimit, rolin e OSBE-së në zgjedhje, arritjen e marrëveshjes me zyrën e Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve, si dhe procedurat që duhet ndjekur votuesit jashtë Kosovës në mënyrë që të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

Kryetarja Daka tha se që nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, KQZ ka filluar përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve.

“Kemi filluar me përgatitjet tona ashtu siç gjithmonë, dhe çdo gjë  është duke shkuar sipas planit operacional, pra kemi filluar përgatitjet e para për emërimin e komisionarëve, emërimin e KKZ-ve, për të gjitha prokurimet që duhet të bëhen pra jemi në punën tonë të mbarë”, ka deklaruar Daka për Telegrafin.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka gjatë intervistës për Telegrafin

Sa i përket asaj që në vitin 2019 nuk ishte paraparë që të mbahen zgjedhje, Daka tha se shpreson që do t’ia dalin t’i organizojnë pavarësisht kohës së shkurtë.

“Natyrisht sikur të kishim më shumë kohë dhe të ishin zgjedhje të rregullta do të ishte më mirë, mirëpo tani kemi krijuar një përvojë të jashtëzakonshme në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, kështu që besoj që edhe kësaj radhe do t’ia dalim t’i organizojmë sikur herëve tjera”, ka theksuar ajo.

Daka bëri të ditur se në këto zgjedhje do të jenë katër qendra të votimit më pak, ajo tha se këtë e kanë kërkuar zyrtarët komunal dhe që KQZ ka aprovuar këtë vendim.

Daka gjatë intervistës për Telegrafin ka folur edhe për problemet që ballafaqohen gjatë zgjedhjeve, rreth numërimit të votave dhe shpalljes së rezultateve preliminare./Telegrafi/

Exit mobile version