Site icon Telegrafi

Ish-kryetarja e KQZ-së: Bojkotimi i serbëve e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve në veri

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka, thotë se bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët në katër komunat veriore, po e vënë në pikëpyetje legjitimitetin e procesit të sotëm zgjedhor.

Ajo thotë se nëse kryetarët e zgjedhur në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, nuk mund të marrin detyrën brenda 30 ditëve pas certifikimit të zgjedhjeve, duhet të shpallen përsëri zgjedhjet e reja.

“Qytetarët serbë që atje janë shumicë me të drejtë vote thjesht i kanë bojkotuar këto zgjedhje dhe nuk kanë qenë të gatshëm të marrin pjesë në zgjedhjet që janë organizuar nga institucionet kosovare… Vihet në pikëpyetje legjitimiteti dhe sa do të jetë ai kryetar apo kryetare të pranuar nga vet qytetarët e këtyre katër komunave”, thotë ajo.

Sipas saj, mesazhi i qytetarëve serbë në veri me bojkotimin e zgjedhjeve është se nuk do t’i pranojnë kandidatët që i fitojnë zgjedhjet.

“Nëse ata kryetarë janë zgjedhur prej një përqindje të themi hipotetikisht 1 për qind, atëherë është në pikëpyetje se kryetar të kujt janë dhe kënd e përfaqësojnë, pasi gjithmonë duhet të kemi parasysh se kryetari i komunës është i pari në atë komunë dhe pretendohet se ai punon për mirëqenien e qytetarëve atje. Natyrisht se qytetarët duhet të kenë një adresë se ku mund të drejtohen në lidhje me problemet e tyre dhe pengesat e tyre të përditshme. Në këtë rast nëse shumica e qytetarëve absolute kanë refuzuar që të dal dhe të votojë ata e përcjellin një mesazh se nuk janë të interesuar për ata kandidatë dhe nuk do t’i pranojnë kandidatët që i fitojnë këto zgjedhje”, shton ai.

Në anën tjetër, Daka për KosovaPress tregon edhe afatet ligjore për konstituimin e asambleve komunale dhe betimin e kryetarëve të komunave që fitojnë mandatet.

“Ka një afat se kur do të konstituohen asambletë, aty ku s’ka asamble dhe pastaj kryetarët që të marrin detyrën duhet të japin betimin para atyre asambleve, ku duhet të ketë kuorum. Tash ato janë të gjitha të përcaktuara në ligjin për qeverisjen lokale dhe në momentin që ata kryetar nuk mund të marrin detyrën, jemi përsëri në pikën zero…Nëse ata kryetar nuk munden të marrin detyrën ligjërisht atëherë i bie që ato komuna përsëri nuk kanë kryetar dhe duhet të shpallen përsëri zgjedhje të tjera”, thekson ajo.

Në lidhje me procesin zgjedhor në tërësi në veri, Daka thotë se i njëjti ka qenë në rregull si ligjërisht dhe teknikisht.

Ajo deklaron se rezultatet zgjedhore do të dalin gjatë mbrëmjes sotme nga KQZ-ja.

“Procesi si proces ka qenë në rregull. Ligjërisht dhe teknikisht është organizuar ashtu sic parashihet me Ligjin për zgjedhjet lokale. Teknikisht, tanimë KQZ-ja e ka ekspertizën që moti dhe nuk e ka pasur shumë problem me organizuar…Ligjërisht është e mundur që edhe me një pjesëmarrje shumë të ulët të kemi rezultate zgjedhore dhe me siguri do t’i kemi sonte”, u shpreh Daka për KP.

Tashmë janë mbyllur 19 qendrat e votimit të zgjedhjeve në katër komunat veriore dhe sipas KQZ-së, kanë votuar 1567 qytetarë, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Exit mobile version