Ballkani dhe Drita kanë luajtur baras 1-1 në kryendeshjen e xhiros së 24-të në Albi Mall Superligë.
Dy skuadrat zhvilluan një ndeshje spektakolare në Suharekë, por që në fund përfundoi pa fitues me nga një gol dhe nga një pikë për therrandasit dhe gjilanasit.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja deklaroi pas ndeshjes se ndoshta ishte ndeshja më e mirë deri më tani në Superligë, por që edhe barazimi ka qenë rezultat real.
“Ishte një lojë e mirë, ndoshta më të mirat deri më tani. Ndeshja pati dy periudha, të parën që ishte e Dritës dhe të dytën që na takoi neve”.
“Kjo është normale në një ndeshje ku u takuan dy ekipet e para në tabelë. Nuk e filluam mirë ndeshjen, por më vonë arritëm të kthehemi në lojë”.
“Ndoshta, kemi mundur të shënojmë edhe ndonjë gol, por barazimi mund të them se ishte rezultati reali këtij derbi”, tha Daja.
Ballkani mbetet lider në Albi Mall Superligë me 50 pikë, dy më shumë se Drita që ndodhet në pozitën e dytë. /Telegrafi/