Telegrafi

Daily Mail: Rita Ora kthehet në atdheun e saj për të festuar 10-vjetorin e Pavarësisë, këngëtarja bën një rikthim triumfues shumë vite pasi familja e saj u largua nga Kosova

Një prej tabloideve më të lexuara britanike, Daily Mail, i ka kushtuar një artikull arritjes së Rita Orës në Kosovë.

Këngëtarja britanike, Rita Ora, është parë duke arritur në Kosovë sot (e shtunë) para koncertit të saj për të shënuar 10 vjetorin e Pavarësisë nga Serbia – nis shkrimin Daily Mail.

Lexo po ashtu Harta e artë e Kosovës, dhuratë nga kryeministri Haradinaj për Rita Orën

Ylli që ka lindur atje para se familja e saj të largohej nga vendi, është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, ndërkohë që po përgatitet të kryesojë një koncert të hapur në mbrëmje në Prishtinë.

Kosova po i feston 10 vjet Pavarësi nga Serbia në aktivitetin dyditor festiv që ka filluar sot në gjithë vendin – thuhet më tej.

Ceremonia kryesore zhvillohet nesër (e shtunë), kur presidenti Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, do të kthehen nga Konferenca e Sigurisë në Munih. Një panel i veçantë rreth Kosovës është caktuar të mbahet në konferencën e Munihut.

Kosova është njohur nga 117 vende, duke përfshirë SHBA-të dhe fuqitë perëndimore dhe është përfshirë në afro 200 organizata ndërkombëtare – shkruan Daily Mail.

Serbia që me shekuj e ka konsideruar Kosovën si “djep të qytetërimit të saj”, akoma e konsideron si pjesë të territorit të vet dhe për këtë ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

Në kryeqytetin serb, Beograd, ministri i Jashtëm serb, Ivica Dacic, ka thënë se Pavarësia e Kosovës mbetet e brishtë dhe nuk do të përmbyllet pa një marrëveshje me Serbinë.

Lexo po ashtu Haradinaj: Rita është ylli i Kosovës, por edhe yll i muzikës botërore

“Ky është një eksperiment i pasuksesshëm. Kjo është dhunë ndaj Serbisë, dhunë ndaj rendit juridik ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Dacic.

Kosova e ka shpallur pavarësisë më 17 Shkurt 2008, nëntë vite pasi NATO përfundoi një fushatë 78 ditore të sulmeve ajrore kundër Serbisë për të ndalur sulmet e përgjakshme ndaj shqiptarëve etnikë.

Daily Mail citon raportimet se në veri të Kosovës, në Mitrovicë janë ngjitur posterë që e quajnë okupim dhjetëvjeçar deklarimin e Pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, thuhet se në mure janë bërë grafitë dhe në shumë vende është ngritur flamuri serb.

Në këtë artikull theksohet se Kosova e ka bërë hapin e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duke nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.

Lexo po ashtu Rita Ora: Ne kemi shumë talentë dhe talente, duhet ta bëjmë vendin tonë krenar (Foto/Video)

Mirëpo, thuhet më tej, vendi përballet me sfida serioze krahas raporteve me Serbinë, duke përfshirë sundimin e ligjit, papunësinë, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, po ashtu nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – thuhet në artikullin e Daily Mail. /Telegrafi/