Këngëtarja Dafina Zeqiri ka pak kohë që ka publikuar albumin e saj më të ri, “Dafinë Moj”.
Tani ajo është duke vizualizuar me klipe disa nga këngët më të spikatura të albumit dhe në radhë është bashkëpunimi me MC Kreshën, i titulluar “Vet e lype”.
Këngëtarja ndau të enjten me ndjekësit e saj në Instagram disa pamje nga xhirimet e klipit të ri, i cili duket se do të jetë mjaft i veçantë.
Duke qenë se kënga ka për tematikë fuqizimin e vajzave, i tillë është menduar edhe koncepti i videos muzikore.
Në fotografitë e publikuara nga xhirimet, Dafina mund të shihet e përkrahur nga plot femra në një protestë me banderola në duar.
Ndërkohë, në një tjetër imazh, këngëtarja shihet aq e revoltuar sa e tregon nervozizmin e saj edhe ndaj policit.
“Të premten, 18:00, ‘Vet e lype’ me MC Kreshën”, ka shkruar Zeqiri në mbishkrimin e fotografive në Instagram.
Përndryshe, nga albumi “Dafinë Moj”, ajo ka të vizualizuara me klipe edhe këngët “Karma” dhe “Llafe llafe” (bashkëpunim me Lyrical Son). /Telegrafi/