Site icon Telegrafi

Dafina Zeqiri: Ju lus vaksinohuni sa më shumë që të kthehemi në normalitet sa më shpejt

Dafina Zeqiri (Foto: Ministria e Shëndetësisë/Facebook)

Ministria e Shëndetësisë po e vazhdon fushatën e ndërgjegjësimit për marrjen e vaksinave anti-COVID, duke sjell mesazhe sensibilizuese nga personazhe të ndryshëm.

Në radhë ka qenë këngëtarja e njohur e muzikës pop, Dafina Zeqiri.

Ajo përmes një video-mesazhi i cili është publikuar në faqen zyrtare të MSh-së, u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e pëlqejnë dhe ndjekin muzikën e saj, që ta marrin vaksinën kundër coronavirusit.

Dafina Zeqiri (Foto: Ministria e Shëndetësisë/Facebook)

Dafina vet thotë se e ka marrë vaksinën dhe njëlloj kanë vepruar të gjithë pjesëtarët në stafin e saj.

“Përshëndetje, unë jam Dafina Zeqiri. Viti që lam pas ishte mjaft i vështirë, dikush i humbi më të dashurit e tyre, dikush humbi punën, dikush mësimet në shkollë. Unë bashkë me ekipin tim jemi vaksinuar të gjithë dhe ju lus, ju lutem shpëtoni jetë, vaksinohuni edhe ju të kthehemi në normalitet sa më shpejt”, ka thënë këngëtarja Zeqiri përgjatë videos.

Kësaj fushate ndërgjegjësuese të iniciuar nga Ministria e Shëndetësisë u janë bashkuar edhe fytyra tjera të njohura publike si: këngëtarja Shyhrete Behluli, analisti Rron Gjinovci, politikanja Albulena Haxhiu e të tjerë.

Përndryshe, numri i rasteve të reja me COVID-19 në nivel vendi vazhdon të jetë i madh, ku vetëm të premten u regjistruan mbi 1128 raste. /Telegrafi/

Exit mobile version