Një ftohtësi e papritur ka mbërthyer miqësinë dikur të ngrohtë mes dy këngëtareve të estradës, Dafina Zeqirit dhe Ya Ninës.
Pas një periudhe spekulimesh dhe heshtjeje, duket se mospajtimet mes artisteve kanë zënë vendin e buzëqeshjeve të përbashkëta. Edhe pse asnjëra nga ato nuk ka pranuar hapur një ndarje të mundshme, gjuha e heshtur e rrjeteve sociale ka folur vet.
Prej kohësh, as Dafina dhe as Ya Nina nuk janë parë të ndajnë momente së bashku, dhe më të rëndësishme, të përcjellin njëra-tjetrën në platformat online, duke lënë të kuptohet se distanca mes tyre është zgjeruar më shumë se kurrë.
Së fundmi, një zhvillim i ri ka rënë në syrin e fansave. Ya Nina, në një lëvizje që shumë e kanë etiketuar si provokative, ka publikuar një trion e saj në bashkëpunim me rapperin e njohur Ledri Vulën dhe producentin Dj Geek. Gjahu për vëmendje mediash ka qenë i dyfishtë, pasi kënga u paralajmërua me një nam të madh për shkak të historisë personale që Geek dhe Ledri kanë ndarë dikur me Dafina Zeqirit.
Në një manovër të quajtur nga disa si “kundërpërgjigje pa zhurmë”, Dafina duket se ka hedhur gurin pa treguar dorën. Në projektin e tyre të mëparshëm dhe shumë të suksesshëm “Nasty x See me”, emri i Ya Ninës është zhdukur si një yll që zbehet.
Edhe pse prezencën e saj mund ta vërejmë akoma në video klipin që numëron mbi 13 milionë klikime në YouTube, në përshkrimet dhe kreditet e këngës, ajo tashmë është një fantazmë.
Kjo ndarje ka ngjallur një sërë pyetjesh dhe spekulimesh në rrjet. Disa mbështesin hapur Dafinën për vendimin e ndërmarrë të distancimit profesionist dhe në një mënyrë, të mbrojtjes së imazhit dhe punës së saj. Të tjerë dëshirojnë të dinë më shumë rreth asaj çfarë ka ndodhur ndërmjet dy artisteve që dikur ishin bashkëpunëtore të mira. /Telegrafi/